Facebooku iu shpall luftë bllokuesve të reklamave

Prishtinë | 10 Gus 2016 | 23:31 | Nga

Facebooku po i shkel me këmbë bllokuesit e reklamave. Rrjeti social njoftoi ditën e sotme në një postim në blog se po u shmanget bllokuesve të reklamave në mënyrë që përdoruesit e platformave desktop të vijojnë të shohin reklama pavarësisht nëse kanë të instaluar softuerë të tillë.

Si rezultat kompania po u jep përdoruesve më shumë kontroll mbi llojet e reklamave që u shfaqen. Facebooku ka përditësuar panelin e preferencave të reklamave nga ku përdoruesit mund të përzgjedhin fjalë kyçe që u përshtaten preferencave të tyre apo të pranojnë reklama nga kompani specifike apo organizata.

Facebooku justifikoi veprimin e tij me një anketë realizuar nga Ipsos Connect ku morën pjesë 2 000 individë nga vende të ndryshme. Studimi zbuloi se një pjesë e madhe e të anketuarve shfrytëzonin bllokuesit e reklamave sepse u trembeshin rreziqeve potenciale të sigurisë që mund të vinin prej tyre.

Përdorimi i bllokuesve të reklamave është një trend në rritje vitet e fundit ndërsa përdoruesit janë ndërgjegjësuar më tej rreth sigurisë dhe privatësisë online. Por ky trend është shqetësues për publikuesit të cilët i shohin mjetet e bllokimit të reklamave si kërcënim real.

Rrjeti social Facebook është ndër më pak të prekurit duke qenë se pjesa më e madhe e të ardhurave gjenerohet nga platformat mobile. Në këto platforma bllokuesit e reklamave nuk kanë po atë popullaritet që posedojnë në desktop ndërkaq edhe aplikacioni Facebook është imun ndaj tyre.

Megjithatë raporti financiar i publikuar në Janar të këtij viti tregoi impaktin e bllokuesve të reklamave në të ardhurat e kompanisë. Facebook nuk është kompania e vetme e cila kundërshton bllokuesit e reklamave. Microsoft dhe Google kanë paguar shuma të mëdha tek Eyeo, një zhvillues gjerman i Adblock Plus i cili ka një listë të bardhë e cila përjashton disa reklama nga bllokimi. (PCWorld Albanian)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme