Kosova dhe Shqipëria ta përafrojnë legjislacionin në sferën ekonomike dhe tregtare

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 17:05 | Nga

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i kuvendit të Kosovës dhe Komisioni për Veprimtari Prodhuese, Tregti dhe Mjedis nga Kuvendi i Shqipërisë, realizuan sot një takim të përbashkët, në Prishtinë, nën drejtimin e kryetarëve respektivë të tyre: Muhamet Mustafa dhe Eduard Shalsi.

Mustafa, duke u uruar deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë mirëseardhje në Kosovë, ka përkujtuar se ky është takimi i dytë përbashkët i dy komisioneve ( i pari është mbajtur në Tiranë) për të biseduar për zhvillimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe rolin e kuvendeve dhe të komisioneve parlamentare funksionale për të ndihmuar dhe lehtësuar raportet ekonomike ndërmjet dy vendeve. Ai pastaj ka folur për gjendjen ekonomike të Kosovës në këtë vit, duke pohuar se rritja ekonomike e prej gati katër për qind, megjithëse duket solide në raport me rritjen ekonomike të vendeve të tjera të rajonit, nuk i kënaq as për së afërmi nevojat për punësim dhe për përmirësimin e bilancit tregtar të vendit tonë. Problem tjetër Mustafa e ka veçuar çështjen e investimeve ekonomike , ndërkaq ka folur edhe për punën që po bën Kuvendi dhe komisioni, të cilin e drejton, për shqyrtimin dhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin për vitin 2017, i cili parashihet të jetë mbi dy miliardë euro.

Duke folur bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, Mustafa ka pohuar se qarkullimi tregtar ndonëse është rritur ( arrin në rreth 200 milionë euro), është shumëfish më i vogël se sa janë mundësitë reale të këmbimit tregtar të ndërsjellë. Ai ka spikatur një serë fushash ku ka më shumë shanse për bashkëpunim, si në lëmin e energjetikës, duke përmendur përfundimin teknik të linjë së interkonjeksionit , si dhe shfaqur shpresën për tejkalimin e vështirësive politike për këtë projekt që paraqet shteti serb. Ai ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit në lëmin e legjislacionit të sferës së ekonomisë dhe tregtisë, duke u shprehur i bindur se ekzistojnë mundësi të mira për unifikimin e tregut të të dy vendeve në një hapësirë ekonomike unike.

Kryetari i Komisionit për Veprimtari Prodhuese, Tregti dhe Mjedis nga Kuvendi i Shqipërisë, Eduard Shalsi, në fjalën e tij është përqendruar në gamën e reformave, si i ka quajtur ai jo populiste, që ka ndërmarrë shteti shqiptar për përmirësimin e jetës ekonomike. Në këtë plan ai ka përmendur reformën energjetike, sidomos luftën kundër informalitetit në shfrytëzimin energjisë elektrike nga konsumatorët. Ka folur edhe për reformën e sistemit pensional, për vënien e rregullit në lëmin e ndërtimeve nëpër vendbanime të mëdha (nëpërmjet legalizimit të tyre), si dhe reformën në arsim.

Raportin e sivjet të progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Shalësi e ka quajtur më të mirin,nga gjithë të mëhershmit, ndërkaq, ka theksuar se me përfundimin e reformës në drejtësi do të hapet rruga për fillimin e bisedime me BE-në për para anëtarësim. Ai ka kërkuar që të fuqizohet roli i Kuvendit dhe i komisioneve respektove për lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve, duke kërkuar nga anëtarët e të dy komisioneve që të piketojnë çështjet konkrete të bashkëpunimit, por edhe të sheshojnë vështirësitë e ndryshme burokratike, administrative e ligjore që pengojnë këmbimin tregtar dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet dy vendeve.

Në këtë temë kanë dhënë kontribut ,me fjalën e tyre, në takimin e sotëm edhe deputetët e të dyja komisioneve respektove: Raif Qela, Genc Ruli, Blerim Grainca, Robert Bitri, Besim Beqar, Besnik Baraj, Sala Berisha-Shala dhe Kozma Dashi.

Ata kanë përmendur mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta energjetike, projektin e turizmit në Alpet Shqiptare, si dhe në projekte mjedisore, si mbrojtja ekologjike e Liqenit të Fierzës, të cilat gjejnë mbështetje edhe nga mekanizma të BE-së.

Ata kanë kërkuar që të përafrohet legjislacioni i sferës ekonomike dhe tregtare ndërmjet dy vendeve, si dhe i standardeve për lehtësim të qarkullimit të mallrave. Kanë kërkuar gjithashtu që komisionet t’i zbërthejnë të gjitha marrëveshjet ekonomiko-tregtare të arritura ndërmjet qeverive tona dhe të insistojnë që ato të zbatohen plotësisht.

 

Të ngjashme