OKB dënon ndarjen e fëmijëve nga prindërit në kufirin amerikan

Prishtinë | 18 Qer 2018 | 15:52 | Nga

Shefi për të drejta të njeriut i Kombeve të Bashkuara, Zeid Ra’ad Al Hussein, e dënoi, siç u shpreh ai, ndajren “e pafalshme” të fëmijëve migrantë nga prindërit e tyre në kufirin e Shteteve të Bashkuara.

Politika “zero tolerancë”, e zbatuar nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka shkaktuar reagime gjithandej, sidomos qysh të dielën, kur SHBA ka shënuar Ditën e Baballarëve.

“Ideja që një shtet përpiqet t’i pengojë prindërit duke shkaktuar abuzime të tilla te fëmijët, është e pafalshme”, tha Al Hussein në një sesion të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.

Ai kërkoi që Uashingtoni ta përfundojë menjëherë, siç u shpreh, praktikën e “ndarjes së detyrueshme të fëmijëve” nga prindërit.

Autoritetet amerikane janë duke ndaluar personat që tentojnë të kalojnë ilegalisht kufirin në SHBA – të rriturit i dërgojnë nëpër qendra të ndalimit ku mund të përballen me hetime për vepra penale, ndërsa fëmijët i çojnë në qendra të tjera ndalimi, larg prindërve.

Autoritetet thanë se në gjashtë javët e fundit, gati 2,000 të mitur janë ndarë nga prindërit ose kujdestarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme