Policia me masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 18:24 | Nga

Policia e Kosovës njofton se me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe në trafikun rrugor, parandalimin e aksidenteve si dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj të gjithë atyre pjesëmarrësve që shkelin rregullat e trafikut rrugor, ka realizuar një plan operacional lidhur me “identifikimin, ndëshkimin dhe largimin nga qarkullimi në trafikun rrugor të mjeteve të paregjistruara”.

Ky operacion policor është realizuar nga 5 deri më 12 prill 2017, nga të gjitha njësitë policore dhe në bazë të të dhënave nga terreni ka rezultuar të jetë i suksesshëm.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë shqiptuar gjithsej 332 gjoba për kundërvajtje për drejtim të mjetit të paregjistruar, kurse 169 mjete janë larguar nga trafiku rrugor si dhe janë konfiskuar 47 palë targa.

Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që me rastin e daljes në trafik të respektojnë rregullat dhe ligjet në fushën e trafikut rrugor. “Në të kundërtën ne si PK në vazhdimësi do të veprojmë në realizimin e detyrave dhe operacioneve të tilla në funksion të zbatimit të ligjit në përgjithësi dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore, e në veçanti krijimit të një situate sa më të mirë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, thuhet në njoftimin e PK-së.

“Falë angazhimit dhe masave shtesë të njësiteve policore dhe falë sensibilizimit të pjesëmarrësve në trafik, për periudhën krahasuese janar-mars 2017, me periudhën e njëjtë kohore janar-mars 2016, është shënuar ulje e aksidenteve me pasoja fatale për -18.18 për qind”.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ngritjes së sigurisë së përgjithshme në Kosovë, duke përfshirë edhe sigurinë në trafikun rrugor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme